Fjalët që tregojnë më shumë për ty sesa për atë që shan

opozita.com Rama

Ndërsa etika në Parlament zbriste edhe më poshtë se zakonisht, gjatë debatit për Buxhetin 2016, në portalin Opozita.com u shfaq një titull që, në përpjekjen për ta kritikuar, mesa duket e mori për shembull standartin e ofruar nga politika.

Me të drejtë ne të medias ngritëm zërin pak kohë më parë kur Qeveria paraqiti në Parlament një ligj që rikthente dënimin me burg për shpifje ndaj zyrtarëve të lartë dhe ekzekutivi u tërhoq nga ideja fillistare, duke përjashtuar kështu burgun për gazetarët. Por përdorimi i një gjuhe të tillë në media nuk ka asnjë lidhje me profesionalitetin, median vetë apo fjalën e lirë. Ka lidhje, po, me edukatën. Eshtë një nga ato rastet kur ato që thua për dikë, tregojnë më shumë për ty sesa për personin tjetër.

Në mediat online ka pasur gjithmonë një lloj tendence për të besuar se mund të guxoje të thuaje më shumë – edhe pa prova – për dikë, sa do të bëje në një media tradicionale. Kjo ka qenë kryesisht e kufizuar te lexuesit e medias online, sidomos te komentet e lajmeve, por fatkeqësisht duket se po përhapet edhe në nivelin redaksional të këtyre mediave.