Fushata gjelbëruese “pa zhurmë” i ka ditët e shkurtra

Fushata “pa zhurmë” që socialistët thanë se kanë zgjedhur të zhvillojnë për këto zgjedhje, me gjasa nuk do të zgjasë shumë. Zyrtarisht u pohua se synimi është për të evituar shpenzime elektorale, duke i adresuar paratë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, konkretisht duke mbjellë pemë në të 61 bashkitë e vendit. Praktikisht, taktika e zgjedhur nga shumica qeverisë synon të përcjellë indirekt edhe mesazhin e një force politike që nuk ndjehet e shqetësuar, që nuk sheh ndonjë rrezik t’i vijë nga kundërshtari, ndaj dhe mundohet të shfaqet sikur ka luksin të bëjë punë (që si rregull duhet t’i bënte gjithsesi gjatë një mandati qeverisës si në nivel lokal ashtu edhe qendror) e jo fushatë.

Një luks të tillë sigurisht që socialistët e kanë, ndonëse jo kudo dhe jo për gjatë. Opozita ka zgjedhur t’i qëndrojë një fushate tradicionale ku komunikon me elektoratin përmes takimeve sa më madhështore, për të përcjellë idenë e mbështetjes së gjerë që mund të gëzojë. Në territoritore kyçe si Durrësi dhe Elbasani ky luks i socialistëve për fushatë “pa zhurmë” po shuhet shpejt, me rivalitetin e fortë në terren që po sjellin kandidatët e opozitës. Në Tiranë avantazhi i Veliajt është jo i vogël, por rreziku është që të tkurret ndjeshëm, duke i hequr shkëlqimin, ndonëse jo fitoren.

Ndaj socialistët nuk do të mund të evitojnë edhe për shumë kohë takimet tradicionale me sa më shumë mbështetës. Pamjet me dron nga lart që tregojnë një grumbull të vogël deputetësh duke mbjellë pemë do t’i lënë shpejt vendin regjisë qendrore me sheshe të mbushura plot. Sa më shumë të afrojë data e zgjedhjeve, edhe PS do ta ketë të pamundur të injorojë thirrjen e takimeve madhështore. Në fund të fundit, edhe elektorati i saj ka nevojë të shikojë që i përket një komuniteti të madh, jo thjeshtë një grupi gjelbërues “pa zhurmë”.