Halim Kosova dhe gjaku në fund të këmbëve

Me dhimbsen ata që menaxhojnë marrëdhëniet me median në fushatën elektorale të Halim Kosovës për Bashkinë e Tiranës! Sinqerisht.

Kandidati i Partisë Demokratike deklaroi se dhuronte gjak për herë të parë por, me profesionin e tij të nderuar të mjekut, zëre se ka dhuruar gjak në forma të tjera. Si? I ka shkuar gjaku kushedi se sa herë në fund të këmbëve, shpjegoi.

Boshllëk më të madh në përmbajtje, është vështirë të gjendet.

Ndonjëherë kur politikani të cilit duhet t’i bësh PR-in është “rëndë”, nuk ka zyrë shtypi që të mund të bëjë mrekulli.

Siç mund të dëgjohet nga video e postuar këtu, kandidati vazhdon edhe më shumë dëmin mbi imazhin e tij, duke deklaruar se nuk i pëlqen të dhurojë gjak për efekt të fushatës elektorale, sidomos përpara kamerave. Dhe këtë e pohon pak minuta pasi ka bërë pikërisht këtë veprim, pra ka dhuruar gjak për efekt të fushatës elektorale (pohon vetë se e bën për herë të parë) dhe përpara kamerave.

Mos vallë duhet të mendojmë se dr. Kosova është detyruar ta bëjë këtë dhe, në rast të tillë, të solidarizohemi me të?

Në punën e mjekut vërtetë mund t’i ketë shkuar gjaku në fund të këmbëve po me këto deklarata nuk po ja kursen këtë eksperiencë edhe zyrës së tij të shtypit.

0 comments
%d bloggers like this: