Mobile nuk është sinonim me shkurt (ndoshta)

circaGjithmonë kam menduar se konsumi mediatik përmes smartphone-nëve dhe tabletave ishte më i shkurtër në kohë ndaj dhe kërkonte përmbajtje më të vogla në volum. Pra, artikuj, post dhe video më të shkurtër. Ideja ishte se shpesh nxjerrim telefonin (mund të quhen ende të tillë?) dhe shikojmë çfarë kanë postuar miqtë tanë në Facebook, Twitter etj, apo i hedhim një sy blogjeve dhe faqeve të preferuara, në ato situatat që quhen “on the go”. Ndoshta ndërsa presim autobusin apo një mik pak me vonesë me të cilin kemi lënë takim në një lokal.

Nga një studim krahasues i trafikut desktop dhe mobile në platformat WordPress, Blogger, Tumblr dhe Medium, duket se nuk është kështu. Ose të paktën jo gjithmonë.

Ndërsa WordPress dhe Blogger kanë natyra mikse postimesh, Tumblr dhe Medium janë më të karakterizuar. Tumblr njihet për një konsum më viziv: foto, gif, video. Citime të shkurtra gjithashtu, por artikujt e gjatë janë shumë të rrallë. Ndërsa Medium është komplet e kundërta. Eshtë krijuar me idenë për të mbledhur shkrime analizuese, të shkruara bukur, ku fjalës i jepet e gjithë hapësira për të cilën ka nevojë dhe askush nuk rri duke numëruar gërmat.

Për t’iu rikthyer studimit të mësipërm, në të kartërta këto platforma ndjehet një rritje e fuqishme e konsumit mobile gjatë vitit të fundit, në krahasim me atë desktop. Përkthimi duket se është: pavarësisht nga gjatësia, nëse përmbajtja është cilësore, do të ketë suksesh cilado qoftë platforma. Të kujton atë shprehjen e famshme: “Content is king!”.

Ndoshta… duket… Që cilësia është e rëndësishme askush nuk e vë në diskutim, por Medium është në qarkullim prej shumë pak kohësh (siç pohon edhe vetë arkulli i sipërlinkuar) për të pasur një ide të ndryshimit afatgjatë të tendencave. Kështu që për momentin i vendos një pikëpyetje titullit të postimit (por meqë nuk më pëlqejnë pikëpyetjet në titull, në vend të saj “ndoshta”).

Meqë për gjatësinë e përmbajtjeve po flitej, normalisht do ta kisha mbyllur këtu por mes shumë të dhënave që kishte krahasimi në fjalë, njëra mu duk goxha interesante, ndaj po vazhdoj. Trafiku i gjeneruar në mobile në 4 platformat e lartpërmendura ka tejkaluar atë desktop. Kjo në SHBA. Te ne nuk kam të dhëna por gjasat janë që e njëjtë do të jetë e ardhmja e afërt.

Janë botuesit tanë online gati për këtë ndryshim? Hiç fare! Hiq dy aplikacionet e Top Channel dhe Klan, të tjerët duket se meditojnë. Një nga mediat më të mëdha online në gjuhën shqipe, BalkanWeb, ka një aplikacion që është turp ta quash të tillë. OraNews po e bën një tani, shpresojmë të jetë i hajrit.

Dy aplikacione lajmesh që më bëjnë t’i hap shpesh janë BreakingNews dhe Circa (e lindur si mobile-first), falë njoftimeve “push” që dërgojnë. Ndërsa mediat shqiptare online as që e marrin në konsideratë si opsion.

3 comments

  1. Duke qene se vet merrem me SEO, analizimi i permbajtjes eshte nje gje qe i kushtoj shume rendesi. Nga hulumtime qe jane bere (http://okdork.com/2014/04/21/why-content-goes-viral-what-analyzing-100-millions-articles-taught-us/?hvid=41eiUq & http://www.quicksprout.com/2014/03/31/how-long-should-each-blog-post-be-a-data-driven-answer/) eshte vertetuar se artikujt me te gjate shperndahen dhe linkohen me shume ne krahasim me artikujt e shkurter. Pra, eshte vertetuar se artikujt e shkurter preferohen me shume nuk eshte asgje tjeter veqse nje mit. 

    Sa i perket aplikacioneve, une me shume jam per ‘responsive design’, sepse eshte me e thjeshte per vizitorin qe thjesht te klikoj nje link ne social media dhe te drejtohet direkt ne faqe pa pasur nevoje te hapet aplikacioni fare. Perndryshe nje aplikacion per iOS dhe Android qe me pelqen eshte ai i KosovaPress.com (https://play.google.com/store/apps/details?id=com.appsix.kosovapress). Ka nje dizajn te thjeshte dhe funksional per perdoruesit.

  2. granitd Kam qene gjithe diten ne pune sot Granit dhe nuk munda te te pergjigjem me pare…

    Ketu ne fakt e kisha me teper fjalen per lidhjen mes gjatesise se nje materiali dhe platformave mobile (smartphone dhe tablet).
    Nje shkrim i gjate jep me shume mundesi per te analizuar nje fenomen dhe normal qe do kete ndjekje dhe shperndarje online, por a konsumohet ne mobile? Personalisht, psh., shkrimet e gjata preferoj t’i lexoj me komoditet ne nje moment te dyte nga kompjuteri. Por eshte ceshtje preferencash. 🙂
    P.s. I hodha nje sy te shpejte aplikacionit te Kosovapress per iPhone dhe duket i punuar mire.

Comments are closed.