Në mbyllje të një fushate të vjetër

Nisi me premtimin se do të ishte ndryshe, por si shumë premtime fushatash, edhe ky rezultoi vetëm aq… një premtim. Fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 14 Majit në fakt ishte e vjetër, e lodhur, monotone. Me po të njëjtët personazhe që përqëndrojnë vëmendjen te vetja, me përpjekjen për të bindur se janë më mirë se “armiku”, në përsëritje të po të njëjtave teza.

Nuk bën habi që – sidomos mes të rinjve – gjen plot që nuk e dinë as se ka zgjedhje, e jo më të njohin kandidatët. Ndërsa kujt si mua puna nuk ja lejon ta injorojë këtë fushatë, mund të thotë gati me çlirim: edhe pak dhe e hoqëm.

Shqipëria ka ndryshuar, por klasa politike nuk duket se dëshiron ta kuptojë këtë shoqëri të re, për nga eksperiencat, nevojat, dëshirat dhe pritshmëritë. Zgjidhja më e lehtë është të risjellë të njëjtën përrallë me gogolë, me shpresën se do të frikësojë me teorinë “jam e keqja më e vogël”, një elektorat që në mbrëmje me gjasa e gjen duke parë ndonjë film horror në Netflix apo ndonjë spektakël-komedi që vë në lojë politikën.