Një administrator për qytetarinë

IMG_1264Eshtë rruga Shyqyri Ishmi por mund të jetë çfarëdo rrugë tjetër e Tiranës. Këtë foto e kam shkrepur nga dritarja e shtëpisë time por jam i sigurt se e njëjta skenë mund të përsëritet edhe poshtë pallatit tënd. E kisha postuar fillimisht në Snapchat, por vendosa ta hedh edhe këtu pasi, ndryshe sa shkruaja atje, duke e menduar më shumë, nuk është vetëm çështje e kulturës së individëve.

Ndonëse jam i sigurt se ata që hedhin qeset e plehrave në këtë mënyrë janë të njëjtët që nuk paguajnë kuotën për riparimin e pompës së ujit (ku dhe a dreqin lahen?), të njëjtët që ankohen për zhulin publik, trafikun, kaosin apo “qentë e rrugës që o zot na e shpifën”, problemi qëndron te fakti se ende nuk dimë të jetojmë në komunitet.

Sigurisht, ka edhe doza të forta arrogance dhe paedukate kur mendon se ta çojnë komshinjtë qesen te kazani i plehrave. Por e njëjta gjë përsëritet kur fqinjët e mi (njësoj dhe të tutë) largohen nga apartamenti i marrë me qera, duke ngarkuar në kamion çfarë u duhet ende e duke “harruar” në hyrje të pallatit ndonjë një kuti, poltronë, dyshek… etj, të vjetëruar që s’të bën më punë. Taksirati i gomerëve që do të vazhdojnë të jetojnë aty!

Administratorët e pallateve mund të ndihmonin në të tilla situata, por të gjithë e kanë pranuar se ligji për funksionimin e tyre ka dështuar tashmë. Bashkia e Tiranës ka njoftuar se do të nisë çertifikimin dhe liçensimin e administratorëve, që në vetvete nuk duket diçka e keqe. Ka ende shumë pallate pa një administrator, qoftë edhe formal, por nuk e di a mjafton për të “detyruar” qytetarinë dhe respektin për të tjetrin, me të cilin ndan të njëjtën ndërtesë, të njëjtën lagje.

0 comments
%d bloggers like this: