Në çdo fushatë zgjedhore politikanët mundohen të gjejnë ndonjë risi në komunikimin me qytetarët, që besojnë se do të bëjë mrekullinë në rezultatin që do të marrin në kutitë e votimit. Podcast quhet e reja e këtij viti.
Edi Rama ishte i pari që e njoftoi, ndërsa Sali Berisha u detyrua të tregonte se idenë e kishte pasur gati prej kohësh, me regjistrime të gatshme që prej ditëve të ndërrimit të viteve. Me Denisa Pashollin në studion e Ditarit në A2CNN diskutuam edhe për këtë. Më shumë se një dëshirë për të eksploruar forma të reja komunikimi me elektoratin, më ngjan me një përpjekje për shmangur flitrat e medias tradicionale, sidomos në kushtet e një fushate elektorale gjatë të cilës edhe media monitorohet, duke iu përmbajtur rregullave të një gare zgjedhore.
Me të drejtë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit e rendiste këtë përpjekje krahas të ashtuquajturave materiale të gatshme që i serviren medias, dikur kaseta të montuara, më pas linqe WeTransfer e tashmë audio apo video të hedhura në platforma të ndryshme dixhitale, ku çdo gjë serviret e konfeksionuar nga zyrat e shtypit të subjekteve zgjedhore.
Ligjet edhe në këtë rast kanë mbetur prapa, por edhe vullneti për të bërë diçka, aty ku mundet, po mungon. Mjafton të shohësh përgjigjen e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, që përballë njoftimeve dhe aktiviteteve me premtime për rritje rrogash, pret lëvrimin e fondeve (pra, faktin e kryer!) që të shprehet nëse jemi në shkelje të ligjit, që 4 muaj para zgjedhjeve, ndalon aktivitete të caktuara.