Pse nuk do të ketë kryengritje kundër Fullanit

eriku-300x224Një pjesë e shtypit të shkruar publikoi disa foto të jetës luksoze të guvernatorit Fullani dhe fëmijëve të tij (koleksion orash të shtrenjta, larje me shampanjë e djersë të fshira më kartmonedha 500 euroshe), dhe Mero Baze bëri thirrje për protesta popullore për shkarkimin e numrit një të Bankës së Shqipërisë, si fajtor për grabitjen e mbi 7 miliardë lekëve nga institucioni që drejton. Përballë heshtjes së politikës, me të dyja krahët e të cilës guvernatori duket se e ka rregulluar muhabetin, Baze shkruan se opinioni publik është i vetmi që mund të detyrojë Fullanin të largohet nga posti që mban. Shembulli që ai sjell janë protestat para Kryeministrisë kundër importimit në Shqipëri të armëve kimike siriane.

është i njëjti shembull përse mendoj nuk do të ketë ndonjë protestë masive kundër Fullanit. Në rastin e armëve kimike, shqiptarët ishin realisht të shqetësuar, shikonin te importimi i tyre një rrezik konkret që mund të prekte direkt ata vetë dhe familjet e tyre. Me të drejtë apo jo, kjo ishte arsyeja kryesore përse dolën të protestojnë.

Një arsye e tillë nuk ekziston në rastin e Fullanit. Në sytë e opinionit publik ai është zyrtari i fundit i këtij shteti që mund të ketë vënë pasuri në mënyrë të dyshimtë. Por shqiptarët kanë parë aq shumë të tillë në këto vite saqë s’u bën më përshtypje. Kur kanë dëgjuar për grabitjen e 7 mld lekëve nga banka, ndonjëri mund edhe të ketë shkuar të kontrollojë shumën e depozitave personale të depozituara. Pasi është siguruar se nuk mungon gjë, i qetë ka kthyer anën tjetër të prapanicës për ta nxirë në diellin e këtyre pushimeve.

Ndoshta jam i gabuar por shoqëria jonë nuk i jep ndonjë vlerë të madhe të mirës së përbashkët, asaj kolektive, për t’u ngritur në protesta për grabitjen e diçkaje që ndonëse i përket, nuk e shikon si të vetën.
temaPas thirrje publike të Mero Bazes janë krijuar në mediat sociale disa grupe që kërkojnë largimin e Fullanit dhe është njoftuar edhe një protestë për të hënën në mesditë. Lajmin e kishte dhënë edhe Tema që më pas nuk e di përse e hoqi nga faqja. Foto majtas është një printscreen nga Google Cache. Problemi është se rrjetet sociale nuk mjaftojnë. Ato mund të kthehen në një kanal të një pakënaqësisë shoqërore. Por kur nuk ka asnjë pakënaqësi apo shqetësim mjaftueshmërisht të madh, frika është se do mbetet në kuadrin e një proteste dixhitale.

 

Mes Fullanit dhe Gjin Gjonit

 

Ka dhe një aspekt tjetër kjo çështja Fullani. Që ngjan shumë me atë të denoncuar mediatikisht vetëm pak kohë më parë, të gjyqtarit dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni. Edhe ky i fundit akuzohet se ka vënë pasuri në mënyrë të paligjshme. Ndryshimi mes këtyre dy personazheve është te fakti se Gjoni ka vetëm mbështetjen e njërit krah të politikës, atij të djathtë, sot në opozitë. Ndërsa Fullani i ka të dyja.

Ajo që bën dallimin mes tyre është mazhoranca. Në rastin e Gjin Gjonit, Kryeministri u shpreh se i ishin ankuar edhe ndërkombëtarët për të. Ndoshta është në pritje që t’i ankohen edhe për Fullanin!

Që të bindim qytetarët se ja vlen të protestosh kundër korrupsionit duhet, si fillim, të mos bëjmë diferencime të tilla.

 

0 comments
%d bloggers like this: