Reporterë me lot në sy

Wael Al-DahdouhThuhet se me kohën mësohesh. Se era e gjakut, trupat e copëtuar, nuk të bëjnë më përshtypje. Thuhet se u ndodh shumë gazetarëve të luftës, një lloj vetëmbrojtje e njeriut përballë dhimbjes. Mëson ta mbashë atë larg në mënyrë që të vazhdosh të bësh punën tënde, të raportosh, të tregosh çfarë ke parë.

Por jo gjithmonë ia del, pavarëisht nga eksperienca në raportimin e vite të tëra konfliktesh të armatosura. Kështu i ndodhi Wael Al-Dahdouh, korrespondent i Al Jazeera në në Gaza, fitues i çmimeve ndërkombëtare. Ndërsa raportonte të dielën mbi bilancin prej dhjetëra të vdekurish dhe qindra palestinezë që ishin detyruar të braktisin qytetin e tyre Shijaiyah, për shkak të bombardimeve të ushtrisë së Izraelit, nuk ia doli t’i mbante dot lotët. Gjatë raportimit live lotët e ndërprenë dhe kur e pa që e kishtë pamundur të vazhdonte doli nga kamera.

Më poshtë video e këtij raportimi që për ndonjë mund të duket si mungesë profesionalizmi. Përsa më përket mua, janë të mirëpritur gazetarët me fytyrë njerëzore!

Ndërkohë, me një dozë jo të vogël cinizmi, Izraeli ka paralajmëruar gazetarët e huaj se siguria e tyre në Rripin e Gazës nuk është përgjegjësi e tij, njofton Reuters. Si me thënë… ç’faj kemi ne se doni të shikoni luftën tonë, ju?!

Dhe për t’u kthyer te fytyra (ç)njerëzore e gazetarëve, sigurisht që ka edhe nga ata që nuk ndalen para asgjëje. Polemika të forta ka ngjallur në Britaninë e Madhe rasti i gazetarit të SkyNews, Colin Brazier, që në një lidhje direkte gërmonte mes sendeve personale të viktimave të avionit të rrëzuar MH17. “Një moment i tmerrshëm për gazetarinë”, e quajtën me të drejtë kritikët, ndërsa SkyNews u detyrua të kërkojë ndjesë.