Retushimi i vendit ku lindi Zaho

zahotch

Flash-et informative skuqën ekranet shqiptare kur vetë Kryeministri Rama lajmëroi në Twitter se ishte bërë baba për herë të dytë.

Shtatzania e Linda Ramës ishte ndjekur nga afër nga mjekja Rubena Moisiu, drejtoreshë e maternitetit kryesor në vend, “Koço Gliozheni”, e cila pak ditë më parë kishte pohuar se lindja do të bëhej jashtë vendit, në një klinikë të specializuar. Dhe kjo për arsye të moshës së zonjës Rama.

Rubena Moisiu konfirmoi edhe sot të njëjtën gjë, pra që lindja e Zahos nuk ka ndodhur në Shqipëri. Ndërsa flash-et informative pasqyronin fjalët e doktoreshës bashkë me sigurimin e saj se nënë e bir gëzonin shëndet të plotë, një nga mediat më të mëdha në vend njoftonte se djali i dytë i kryeministrit kishte lindur maternitetin “Koço Gliozheni” (foto lart).

Nuk është një gabim pa dashje. Përveçse dihej, siç thashë më lart, që lindja do të zhvillohej jashtë vendit, Top Channel ka gazetarë shumë të mirë që me siguri janë në gjendje të konfirmojnë nëse djali erdhi në jetë në maternitetin kryesor të Tiranës. Për më tepër, vetë drejtoresha e maternitetit do ta kishte marrë vesh nëse fëmija e Kryeministrit, gruan e të cilit e ka paciente, do të kishte lindur në spitalin që ajo drejton.

Problemi është tjetër dhe i një natyre morale. Sa e pranueshme është që një Kryeministër të dërgojë gruan për të lindur jashtë shtetit, ndërkohë që mijëra gra të tjera presin prej Qeverisë që ai drejton, të krijojë në vend një shëndetësi të standarteve ndërkombëtare? Pa përmendur këtu që shëndetësia ka qenë një nga temat e mëdha të socialistëve në fushatë elektorale. Pa dashur të hyjë në politikë, është e pamohueshme që zgjedhja e çiftit forcon perceptimin e shqiptarëve se të parët e tyre kujdesen gjithmonë më shumë për veten sesa për qytetarët që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë apo drejtojnë.

Ishte aq publike që lindja e fëmijës kishte ndodhur jashtë vendit saqë e raportuan edhe shumë media të tjera pranë Qeverisë dhe Kryeministrit. Top Channel u detyrua të redaktonte lajmin (foto poshtë). Materniteti “Koço Gliozheni” nuk përmendet më, ashtu sikurse nuk përmendet edhe detaji i lindjes jashtë(*). Eshtë e kaq e rëndësishme se ku lindi Zaho? Personalisht mendoj se jo, por përgjigjja e pyetjes “KU?” (Where) është një nga të famshmet 5 W-të që bëjnë një tekst të quhet lajm. Ajo që mbetet është një pyetje me shije pak të hidhur: përse ishte e nevojshme të retushohej vendi i lindjes së një foshnjeje?

———

(*) Detaji është shtuar në një moment të tretë, kur në faqe është vendosur kronika dhe teksti i saj, që kanë zëvendësuar titulli, foton dhe tekstin në foton këtu poshtë.

Zaho TCH redaktuar