Të dhënat e matjes së dytë në sondazhin e Euronews Albania për Bashkinë e Tiranës, konfirmojnë avantazhin që ka kryetari aktual, Erion Veliaj, ndaj sfidantit Belind Këlliçi.
Siç u mundova të shpjegoja mbrëmjen e të premtes në studion e emisionit Barometri, gara nuk mund të shpallet e mbyllur pasi të dhënat flasin se ka një pakënaqesi (mbi 40% pohojnë se gjërat shkojnë keq, ose më keq) që mund të shfrytëzohet nga kandidati opozitar për ta përkthyer në votë. Sa do t’ja dalë është çështje tjetër sepse të dhënat tregojnë qartë ku po çalon fushata e tij.
Belind Këlliçi mund të shfrytëzojë më lehtë nivelin e lartë të atyre që ende nuk kanë vendosur (rreth 20%) pasi Veliaj e ka më të vështirë të tërheqë elektorat të ri nëse nuk ka arritur t’i bindi qytetarët në 8 vjet që drejton Bashkinë e Tiranës.
Nga ana tjetër, Këlliçi ka një nivel të papranueshëm njerëzish që shprehen se nuk e njohin. Kjo veçanërisht më e theksuar te grupmoshat e reja (nuk shohin tv) dhe gjinia femërore, ku Veliaj merr më shumë vota.
Krahasimi me matjen e parë të shkurtit tregon se sfidanti po rritet më shumë si në popullaritet ashtu edhe në prirjen e qytetarëve për ta votuar, por koha e mbetur deri në zgjedhje imponon ndryshim marshi. Jo e lehtë, kur përballë ke dikë që është në fushatë gjithë vitin dhe në ekran përditë, ndërkohë që hapësirat mediatike të opozitës ende bllokohen nga debatet “vula” apo “selia”.