Veliaj, pemët e Parkut dhe premtimi për referendum

eljan tanini arrestimi

Mbi dy vjet më parë Ejan Tanini bashkë me disa të rinj të tjerë kishin filluar të kërkonin ndihmën e qytetarëve në mbështetje të nismës “Mbill Pemën Tënde”: një kontribut monetar nga secili prej nesh që përkthehej në një fidan për t’u mbjellë kryesisht në Parkun e Liqenit.

Nisma pati shumë sukses, paratë për fidanët tejkaluan pritshmëritë dhe disa u transferuan te Parku Rinia dhe në zona të tjera të kryeqytetit. Mediat filluan të interesohen dhe politika lëpiu buzët, pa humbur rastin që ta përkthente atë në kapital politik. Kështu arritëm në fund të shkurtit 2014 kur ministrat e Qeverisë Rama, Mimi Kodheli dhe Ilir Beqja, u shfaqën në krah të Eljanit, rast që shikoni në këtë kronikë të kohës.

Sot Eljani (dhe të tjerë) u arrestuan dhe u dhunuan sepse protestuan kundër një projekti që hedh beton aty ku ata pak kohë më parë mbillnin pemë. Edhe në këtë rast politika nuk e ka humbur rastin për të përfituar nga ngjarjet, ndonëse bëhet fjalë për krahun tjetër të politikës. Vesi është ai që i bashkon.

Ndërkohë që dy vjet më parë Ejani me shokë lavdërohej për iniciativën që ministrat i morën peng për shfaqjen para kamerave, sot poshtërohen. Kryeministri, shef i dy ministrave të sipërcituar, i cilëson si njerëz të udhëhequr nga Partia Demokratike. “Nën udhëheqjen e Partisë Demokratike, “protestuesit” duan të pengojnë forcërisht pikërisht këtë që shihni!”, shkruan Rama, duke postuar një video të projektit të parkut të lojrave për fëmijë, që Bashkia Tiranë kërkon të ndërtojë brenda Parkut Kombëtar të Liqenit.

Përse në këtë qytet qenka kaq e vështirë të gjendet një tjetër hapësirë për të ndërtuar këtë kënd për fëmijë, Bashkia ende nuk e ka shpjeguar (ndoshta sepse shefi i kryebashkiakut është ndër më të akuzuarit për zëvendësimin e çdo hapësire të lirë të kryeqytetit në beton?).

Erion Veliaj gjatë fushatës së tij elektorale kishte premtuar zero beton. Tani betonin e gjejmë edhe në një projekt këndi lojërash, që nuk kuptohet pse s’duhet të jetë dhe toke?! Ku vritesh më shumë duke luajtur, në beton apo në dhe?

Erion Veliaj kishte premtuar edhe referendume lokale për të marrë mendimin e qytetarëve për çështje të rëndësishme të qytetit. Ky projekt që cënon të vetmin park që na ka mbetur – bashkë me atë të parkimit nëntokësor te Taivani – mund të cilësohen pa frikë si të rëndësishme për jetën tonë. Nëse ky projekt qenka kaq i mrekullueshëm, përse nuk thirren qytetarët të shprehen me referendum? Përndryshe jemi të autorizuar të fillojmë renditjen e premtimeve të pambajtura.

0 comments
%d bloggers like this: