Wikipedia kujdeset për besueshmërinë më shumë se media shqiptare

Gjatë studimeve të mia në Itali kishte një mënyrë të sigurt e të shpejtë për të ngelur në provim: të citoje Wikipedian si burim në esenë që duhej të dorëzoje. Eciklopedia më e madhe online mund të modifikohet nga shumëkush, gjë që nuk e kualifikon si një burim të saktë e të besueshëm shkencor.

Por edhe Wikipedia ka standardet e veta dhe duhet thënë se është përpjekur gjithmonë të përmirësojë kredibilitetin e saj në sytë e publikut të gjerë. Në këtë drejtim shkon edhe vendimi i marrë së fundmi për të mos pranuar më tabloidin britanik Daily Mail si burim për informacionin e publikuar në faqet e enciklopedisë. Editorët e Wikipedias kanë shpjeguar se vendimi është marrë bazuar në reputacionin e ulët që ka Daily Mail përsa i përket kontrollit të fakteve para publikimit, si dhe natyrës sensacionaliste të përmbajtjes së tabloidit.

Fondacioni Wikimedia, që drejton Wikipedian por nuk kontrollon procesin e saj editues, ka bërë të ditur se editorët e sektorit anglez të enciklopedisë diskutonin mbi besueshmërinë e Daily Mail prej rreth 2 vjetësh, deri sa vendosën me dakortësi të mos pranojnë më citimin e saj si burim.

Tabloidi në fjalë, Daily Mail, është një nga furnizuesit kryesor të mediave shqiptare, shpesh jo vetëm atyre online, por edhe televizive. Edhe Wikipedia kujdeset më shumë për besueshmërinë!

0 comments
%d bloggers like this: