A do të kafshojë Tigri?

Arben Ahmetaj ka qenë me siguri një prej superministrave të Edi Ramës, një titull me të cilin pak të tjerë janë veshur, si Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri. “Tigri” ishte pseudonimi me të cilin e thërrisnin, ndonëse për arsye të tjera nga politika.
Në kabinetet qeveritare të Ramës është bërë pjesë që në 2013, me një karrierë në ngjitje që e çoi deri në krahun e djathtë të tij, si zv/kryeministër. Zbritja nisi në prill 2022 kur në Kongresin e PS ishte i vetmi mes ministrave që nuk u lejua të fliste. Në korrik u shkarkua nga posti i numrit dy të Qeverisë, në shtator u zhvesh nga spaletat e drejtuesit politik të Vlorës.
Në korridoret e politikës tregohet si njeriu që flirtoi me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, duke dorëzuar dosjen e inceneratorëve. Një pretendim i pakonfirmuar ndonjëherë dhe i mohuar prej tij. Por në politikë, ku paranoja është virale , kjo merr pak rëndësi.
Socialistët dhe Rama vetë e ka bërë të qartë se nuk marrin përsipër koston që ta mbrojnë, edhe nëse besojnë te pafajësia e tij si tradhëtar politik. Tani Tigrit i ka mbetur vetëm një gjë, të tregojë nëse do kthehet në kotele, apo do të luftojë me dhëmbë e kthetra.