A e duan vërtetë dy grupimet e demokratëve regjistrimin e PD në zgjedhje?

A rrezikon PD të mos regjistrohet në zgjedhje?, është një pyetje që dëgjoj shpesh kohët e fundit. Por pyetja më e saktë do të duhej të ishte: A duan vërtetë dy grupimet e demokratëve që PD të regjistrohet në zgjedhje?

Njëri grupim, ai i Berishës, e ka të qartë tashmë që nuk do ta ketë kontrollin e siglës dhe vulës së partisë, të paktën në këto zgjedhje. Ndaj nuk ka çfarë humb nëse PD nuk regjistrohet në garën e 14 majit.

Logjika do të shtynte të mendoje që grupimi tjetër, që ka të gjitha shanset të futet me këtë logo në zgjedhjet vendore, ta shfrytëzonte avantazhin. Mjafton të tejkalonte një pengesë proceduriale si firma e kërkuar e Lulzim Bashës në deklaratën që Komisioneri Celibashi mendon se duhet të mbajë deklarata e përgjegjësisë së kryetarit.

Problemi është që nëse futesh në garë me logon e PD e ke më të vështirë më pas të justifikosh një rezultat zhgënjyes përballë grupimit tjetër. Ndaj, në këtë rast, interesi do të ishte të mos hyje fare në zgjedhje, të akuzoje të tjerët sikur të penguan duke mos regjistruar PD-në dhe kështu t’i japësh kohë vetes të vazhdosh edhe për disa vite këtë lojën proceduriale të grupimeve brenda partisë.