Basha konfuz mes vjehrrës dhe mullixhiut

Një batutë ndihmon sigurisht për ta bërë më efikas mesazhin që do t’i përcjellësh publikut dhe kjo është akoma më e vërtetë në komunikimin politik, ku shpesh qytetarët rrezikojnë të mos jenë shumë të vëmendshëm përballë politikanit të rradhës. Por për batutën duhet të kesh një lloj talenti natyral. Duhet të të vijë natyrshëm. Se po u sforcove të kopjosh ndonjë rival (pa bërë emra!), jo vetëm që duket, jo vetëm që batuta nuk ngjit dhe humb efikasitetin, por rrezikon të bësh edhe ndonjë gafë.

Shembullin, për të gjithë ata që studiojnë komunikimin politik, e ofron bujarisht kreu i opozitës, Lulzim Basha, që në videon e mësipërme ngatërron mullixhiun me vjehrrën. Basha po përpiqej t’i thonte Kryeministrit Rama që të mos bllokonte projektet e Bashkisë së Tiranës për shkak të inateve politike mes tyre. Rezultati është ai në video, ndërsa shprehja e saktë popullore është “Për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhiun”.

Thjeshtësia ndonjëherë do të ishte aleatja më e mirë në komunikimin e një politikani, por jo vetëm. Pasi duke tentuar të përzgjedhësh fjalët rrezikon të kapësh të gabuarat, të përdorësh natën si simbol të një feste fetare, në vend të ditës. Shembulli, fatkeqësisht, vjen përsëri nga Lulzim Basha, gjatë një prononcimi në selinë e Bektashinjve me rastin e Sulltan Novruzit.