E drejta (e pamoralshme) për t’u harruar

righttobeforgottenPozicioni i Wikipedias kundër të ashtuquajturës “e drejta për t’u harruar” dihet që kur gjykatat i njohën qytetarëve europianë të drejtën për të mos qenë pjesë e kujtesës kolektive në internet, duke hequr nga rezultatet e motorrëve të kërkimit informacionet që u përkasin. Një e drejtë, që Jimmy Wales, themelues i Wikipedias, e quan “thellësisht të pamoralshme”. E që do të krijonte një web “të mbushur me vrima kujtese”.

Deklarata e tij erdhi gjatë fjalimit që mbajti në konferencën Wikimania në Londër, një takim i përvitshëm organizuar nga Wikipedia. Në fakt, Wales ishte shprehur kritik edhe më parë, kur deklaronte: “Nuk ka asnjë të drejtë për t’u harruar. Nga sa duket në Europë ka një ‘të drejtë’ për të çensuruar informacione që nuk pëlqehen”.

Ndërkohë që kujtesa e Google ka bërë viktimën e saj të parë në Wikipedia, mendoj se Jimmy Wales ka plotësisht të drejtë. E para, sepse ndryshimi me kohë të shkuara më duket vetëm teknologjik. E drejta për t’u harruar përfitonte nga aftësitë e kufizuara për të memorizuar shumë gjatë një informacion në kujtesën tonë. Por ai ishte i regjistruar në një gur, një letër, një shirit apo një kasetë. Kërkimi në një arkiv do ta nxirrte në pah.

E vetmja gjë që ka ndryshuar teknologjia është mundësia për të apeluar arkivat. Sot sigurisht që e kemi më të lehtë për të kujtuar një detaj, një datë apo një emër, falë një kërkimi online.

Arsyeja e dytë mendoj se është morale. Dyshoj se përfituesit më të mëdhenj të kësaj do të jenë ata që kanë bërë lloj lloj zullumesh e duan që të harrohen. Pak kohë më parë pata personalisht një rast të ngjashëm që më shton këtë bindje.

Një avokate që punon në Itali më kontaktoi për të më kërkuar të hiqja nga faqja e një mediumi italian me të cilin bashkëpunoja disa vite më parë, një artikull të shkruar nga unë ku përmendej emri i saj. Zonja nuk kishte asnjë problem me anën gazetareske të shkrimit pasi në të thjeshtë citohej pakënaqësia e shprehur nga klientët e saj shqiptarë për shërbimin që u kishte ofruar. Problemi i zonjës ishte se artikulli në fjalë rezultonte i treti në faqen e parë në Google nëse bëje një kërkim me emrin e saj. Gjë që nuk ishte aspak një reklamë e mirë për të.

Sigurisht që artikulli nuk u hoq. Por sot kjo zonjë nuk ka më arsye të më “blejë” mua, i mjafton t’i paraqesë një kërkesë Google duke arsyetuar se informacioni mbi personin e saj nuk është më rilevant ndaj duhet hequr nga rezultatet e kërkimit. Ndërsa për mua, informacioni i atij shkrimi është i dobishëm për klientët potencialë të zonjës për sa kohë ajo do të ushtrojë profesionin.

2 comments

  1. Ne fakt, edhe tek projekti qe kemi per arkivimin e lajmeve, vetem persona qe u ka dale emri ne raportet e policise per droge, vjedhje e profesore te arrestuar per korrupsion ankohen per t’u hequr emrin nga lajmet. Arsyetimi i perhershem, po u prish reputacionin! Pa harruar qe reputacionin e tyre e kane zgjedhur ta prishin qe kur jane bere shperndares droge, hajdute apo jane blere per 2 leke

  2. A Brahaj E ke thene fiks Mand. Sigurisht qe ka raste kur e drejta per t’u harruar mund te perdoret pozitivisht nga dikush, por ne pjesen me te madhe te rasteve ngjan me shume si nje e drejte per t’u ricikluar.

Comments are closed.