Komunikimi me gishta në fushatë

Një poster elektoral i Belind Këlliçit – ku i drejton gishtat e mesit korrupsionit – bëri zhurmë, duke zgjuar një fushatë elektorale deri tani disi të fjetur. Mesazhi duket se ishte një kundërpërgjigje ndaj refrenit të kënduar prej muajsh nga socialistët, që mundoheshin ta paraqisnin rivalin e opozitës si një kandidat anonim i cili nuk njihej nga zgjedhësit.

Gishtat e mesit të Belos ia dolën të detyronin Lalin që të fliste për të, duke i kushtuar vëmendje mediatike. Ndërsa shumë “zëra” pranë kryebashkiakut reaguan të indinjuar për shkelje etike dhe ngritën një tjetër valë vëmendjeje mediatike. Bënë, kështu, kuriozë akoma më shumë njerëz duke i prezantuar me Belind Këlliçin… atë kandidatin që e tregonin me gisht si anonim!

Ndonjëherë, këto fushatat moraliste të kthehen në bumerang. Sepse sot është shumë e vështirë të mos vihet re kush është që bën moral.