Shkarkimi në grup i të gjithë sekretariatit të Partisë Socialiste, me arsyetimin aspak origjinal të rifreskimit të kupolës drejtuese, ishte vetëm një taktikë e Kryeministrit Rama për të mbuluar arsyen e vërtetë për të cilën u bë lëvizja: shkarkimin e Damian Gjiknurit nga posti i numrit dy të partisë. Gjiknuri është i treti (dhe i vetmi i mbetur ende) mes tre superministrave të Ramës, krahas Saimir Tahirit dhe Arben Ahmetajt. Problemet me drejtësinë e dy të fundit janë të njohura dhe duket se edhe zhveshja e Gjiknurit nga postet partiake (në qeveri ka kohë që nuk është më) paralajmëron të njëjtin fat edhe për të. Përgjegjësi personale, sigurisht! Në mbledhjen e Asamblesë socialiste, e para tërësisht e mbyllur për mediat që kur Rama ka marrë drejtimin e partisë, kryetari ua kishte bërë të qartë se “të tjerë do të vijojnë të shkojnë” para dyerve të drejtësisë.
Tensionet në rritje mes rrymave e grupimeve në parti i tregoi indirekt edhe shkarkimi i ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, vendim që më pas u tërhoq nga kreu i Qeverisë, në një përpjekje për të menaxhuar dëmin në imazh, që gjithsesi nuk u shmang. Për disa ditë apo për disa javë, Ibrahimaj mund të qëndrojë ende me letra si ministre, por ajo e di që është e ikur, njësoj si edhe disa kolege të saj. Durimi në parti duket se ka sosur dhe grupimet e socialistëve kanë prioritet forcimin e pozicioneve, për t’u gjendur gati në çdo moment që lufta e madhe do të nisë, ajo për kreun e partisë.
Këto ishin edhe një pjesë e diskutimit në “Debat nga Alba Alishani”, në A2 CNN, mbrëmjen e të mërkurës.