Mes artit dhe politikës, komunikimi

rama permbytjet

Pakkush i beson kur ngul këmbë se nuk është politikan. Ndërsa klasifikimi “artist” i shijon më shumë Edi Ramës, gjë që duket nga sa shpesh flet për të bukurën, estetiken, shijen. Kryeministri shfaqet shpesh i dyzuar mes këtyre botëve por në një lëvizje të fundit (social) mediatike, artisti duket se ka fituar mbi politikanin.

Foto që shikoni këtu është publikuar nga Rama në profilin e tij në Facebook nën titullin “Phofo of the Day”. Një përzgjedhje shumë e bukur nga pikëpamja artistike, foto mendohet se është shkrepur nga fotografja e tij zyrtare Blerta Kambo, ndonëse vetë Rama nuk ka vënë autorësinë. Por nga një pikëpamje politike, ose të paktën e komunikimit politik, foto është një gafë e rëndë.

Ajo është shkrepur gjatë vizitave të Kryeministrit në zonat e përmbytura në jug të vendit. Shiu në xham lë të kuptohet lehtë se fotografi/ja ndodhej në brendësinë e një automjeti dhe publiku (ne) jemi të ftuar të shikojmë me sytë e tij, nga këndvështrimi i tij.

Dhe këtu nis problemi. Ajo që duket janë dy fëmijë (sipas disave një nënë me fëmijën e saj) jashtë, në shi. Por imazhi i tyre është aq i turbullt saqë, nga pikëpamja politike, interpretimi i parë është se Kryeministri e ka të pamundur të shikojë realitetin.

Një lexim akoma më i ashpër është se ndërsa qytetarët e tij ndodhen nën shi, kreu i Qeverisë i kundron nga ngohtësia e ambienteve komode të automjetit të tij.

Ndjesinë e shkëputjes mes Kryeministrit dhe qytetarëve të tij, që të krijon foto, e ka shpjeguar qartë kolegu Endri Xhafo, duke e cilësuar publikimin e fotos një gafë, një autogol në menaxhimin e marrëdhënieve publike:

“Mënyra sesi Kryeministri i sheh subjektet e fotos, qytetarët e vet, i jep argument kujtdo që është kritik me mënyrën se si po menaxhohet kjo krizë, që ta kritikojë Kryeministrin për papërgjegjshmëri. Ndryshe do të ishte nëse foto do të tregonte një ushtar duke ndihmuar, një barkë duke transportuar, një Kryeministër duke ngushëlluar. Por kjo foto, pikërisht kjo, është thjesht një gafë në PR (marrëdhënie publike)! Një autogol!”