Morali i çarmatosur i deputetëve me kobure në brez

strazimiri me armeMe leje, pa leje, me të drejtë, pa të drejtë, 3 ditë apo një muaj… nuk më interesojnë fare. Deputeti Gent Strazimiri mund të ketë një mijë arsye për të cilat të ndjejë nevojën e një arme. Por vetëm ideja e një parlamentari me kobure në brez më duket bezdisëse. Jetojmë në vitin 2016, jo në kohët e Far West. Nëse një deputet ndjehet i kërcënuar mund të kërkojë ndihmën e autoriteteve që ta pajisin me eskortë, të punësojë privatisht një truprojë e të tjera zgjidha që nuk ja vlen të rreshtohen.

Në Itali, Mafia kërcënon prej shumë vitesh gazetarin dhe shkrimtarin Roberto Saviano për faktet që ka denoncuar në librat e tij. Nuk e kemi parë ndonjëherë të mbajë një kobure me vete.

Një deputet i Republikës nuk mund të qarkullojë me armë në brez, është një shije tepër e shëmtuar. Në këtë mënyrë, pyetja çfarë i bashkon Armando Prengën dhe Gent Strazimirin?, tashmë ka një përgjigje: koburja në brez. Pak rëndësi kanë motivet, pak rëndësi ka që mes tyre mund të ekzistojnë një mijë dallime.

Dhe kjo vlen për cilindo përfaqësues të popullit në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Ligjbërësit nuk mbajnë armë. Të tjerat janë justifikime.

Groteske, më pas, bëhet situata, kur Partia Demokratike shpërndan një njoftim për shtyp si ky më poshtë.

PD Strazimiri