Jo një sulm ndaj Google por një sulm ndaj linkut, pra esencës së Internetit. Kështu e përkufizon Jeff Jarvis, gazetar e studiues i njohur i mediave online, konfliktin mes botuesve gjermanë dhe gjigandit të kërkimit.
Gjasat janë që procesi i arbitrazhit me Google, i nisur nga rreth gjysma e botuesve më të mëdhenj në Gjermani, do të përfundojë në aksion ligjor. Kërkesa është që Google t’i paguajë për citimet që linkojnë në artikujt dhe materialet e tjera të publikuara nga mediat e tyre. Saktësisht, këta botues pretendojnë të marrin 11% të fitimeve që Google gjeneron nga citimet e linkuara.
Në një shkrim në blogun e tij të para disa ditësh, por ende aktual, Jarvis e quan kërkesën absurde, cinike dhe të rrezikshme. Sepse, sipas tij, gjigandi i kërkimit online tashmë po i shpërblen botuesit për citimet, ndonëse jo në vlerë monetare. Po u jep botuesve lexues, klientë, publikun të cilin këto media duan të shërbejnë.
Problemi duket se është më i thellë dhe sipas Jeff Jarvis shpjegon përse mediat nuk arrijnë të krijojnë një digital business model të ri. Ende nuk e kemi kuptuar që vlera nuk qëndron vetëm te përmbajtja. Nga ana tjetër nuk është e lehtë të masësh vlerën e krijimit të një publiku.
Po botuesit a duhet të paguajnë Google për lexuesit që u sjell? Jarvis, duke provokuar, thotë po. Do të ishte një shkëmbim i monetar i ndershëm. Por do të ngrinte pikëpyetje morale që do të korruptonin rezultatet e kërkimit. Fakti që Google nuk kërkon para për renditjen në rezultatet e kërkimit dhe në GoogleNews, është thelbi i besimit në shërbimin e saj.
A do të paguajë Google për citimet e linkuara? Jo, thotë Jarvis, sepse do të shkatërrohej infrastruktura e njohurisë online, duke e kthyer Internetin në një stendë të gazetashitjes. Botuesit e kuptojnë këtë, dhe ndaj kërkesa e tyre është cinike. Kërcënimi i tyre nuk i drejtohet vetëm Google por edhe Microsoft (Bing) dhe Yahoo, me synimin për të përfituar sa më shumë prej tyre.