Samiti që mblodhi në Tiranë liderët e vendeve anëtare dhe institucioneve të Bashkimit Europian, në kuadër të Procesit të Berlinit, mund të konsiderohet një sukses sa i përket organizimit dhe elementeve të spektaklit që e mbushën atë përgjatë një dite të ngarkuar, por u karakterizua nga mungesa e thelbit në vetvete.
Në fund të ditës u firmos një marrëveshje që në krahasim me pritshmërinë, është mjaft modeste. Por edhe kur vjen fjala te mesazhet për të ardhmen, drejtuesit e Brukselit e bënë të qartë se nuk ka korsi preferenciale për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Presidentja e Komisionit Europian përsëriti sa herë iu dha mundësia, që çdo ndihmë financiare do të jetë e kushtëzuar me përmbushjen e detyrimeve dhe reformave. Edhe 2030 si një objektiv për të arritur anëtarësimin me të drejta të plota në BE, nuk është i shkruar në gur nëse mungon meritokracia.
Qartësisht Europa ka halle të tjera, vëmendja e saj është e shpërqendruar nga zhvillimet në Izrael, përveçse nga lufta në Ukrainë. Ndaj Ballkanit Perëndimor i kërkohet të bëjë punët që i takojnë dhe të mos ëndërrojë jashtë realitetit.
Në fund, për të pritur këtë samit, Shqipëria u zgjodh jo sepse kishte bërë diçka të jashtëzakonshme në krahasim me fqinjët. Ishte më shumë përfituese nga rrethanat ku konfliktet e brendshme diku, apo ato mes fqinjësh diku tjetër në rajon, e bënin Tiranën si opsionin më të mirë për të organizuar për herë të parë jashtë territorit të Unionit një samit të Procesit të Berlinit. Edhe për këtë duhet të jemi me këmbë në tokë.