Pse Adi Krasta nuk i pëlqen komentuesit online dhe do t’i edukojë

Adi Krasta e nisi sezonin e ri të emisionit të tij “A” (6 tetor), në AgonChannel me një monolog. Të ftuarit janë gati të vijnë, siguroi, por “dua të flas me ju”. Shikimi ishte drejt e nga kamera; e kishte me telespektatorin. Në mbi 20 minuta, Krasta prek shumë tema, por 4 minutat e para më interesojnë më shumë këtu.

Në fillim, ai denoncoi publikisht urdhrin që njerëzit pranë Kryeministrit Rama thotë se i kanë dhënë politikanëve të së majtës për të bojkotuar televizionin AgonChannel. Gjë e shëmtuar, në fakt, nëse është e vërtetë. Por nuk ndodh sot për herë të parë në historinë e marrëdhënieve politikë-media në Shqipëri. Prezantuesi shtoi se kishte njoftuar për këtë realitet edhe përfaqësinë e Bashkimit Evropian. Por vështirë që mos ta dinin!

Tema e dytë e monologut ishte ajo që më habiti më shumë. E kisha vënë re në disa prononcime të Krastës antipatinë e tij ndaj mediave sociale, por në këtë rast ai e ka me komentuesit online, që te mediat sociale kanë gjetur kanalin ku të shprehen lirshëm. Nuk i pëlqejnë komentet kritike dhe me bindje pohon se “ka ardhur momenti të krijohet një raport absolutisht i ndryshëm, cilësor, por sidomos të rregulluar, mes burimit të lajmit dhe të ashtuquajturve komentues online”. Nuk e di çfarë e ka shqetësuar konkretisht gazetarin e njohur por të paktën përsa i përket gazetave online, secila ka disa politika specifike mbi komentet që moderohen e më pas një pjesë publikohet. Koston për komente pontencialisht të pahijshme e mban vetë secila media.

Por Krasta problemin e ka me komentuesit. Ne, domethënë! Që na përshkruan si “njerëz jo të këqinj”, njerëz që “e kanë shumë të vështirë, në mos të pamundur, që të menaxhojmë ‘famën’ e tyre apo lirinë që të jep anonimati”. Nuk di të jenë bërë të famshëm komentuesit që shkruajnë secili në profilet e veta në Facebook e Twitter por për lirinë e anonimatit ka të drejtë, të mundëson të thuash lirshëm atë që mendon, pa pasur frikën e një hakmarrjeje.

KrastaKrasta vazhdon analizën e ushtrisë së komentuesve online, si diçka që ka në mesin e vet “që nga të çmendurit gjithmonë të nxehur” deri te “intelektualë të fisëm e të vërtetë që nuk kanë akses apo mënyrë tjetër për të dhënë mendimin e tyre”. E vërtetë, janë të njëjtët të çmendur të nxehur e intelektualë të fisëm që gjen edhe offline, në një lokal apo autobus. Janë po ata që komentojnë edhe online!

Por te kjo ushtri, pohon Krasta, ka deri “kolegë që fshehurazi, me emra të shpikur, hedhin vrer, duke i bërë atentat kibernetik rivalëve të tyre”. Po, ka plot njerëz të tillë mes gazetarëve, siç ka edhe në profesione të tjera. Dhe nuk është vetëm diçka shqiptare por janë fenomente që njihen në çdo shoqëri. Krasta është i bindur se kjo ushtri “nuk i bën mirë Shqipërisë të mbetet e paedukuar, mllefaxhie, e përciptë dhe zhurmëmadhe”. Kërkon të na ndreqë: “forcimi i rregullave të përfaqësimit dhe kontrolli i imët, kam shpresë se do të jepte një aleat për të bërë Shqipërinë një vend më të mirë”.

Ajo që gazetari i famshëm harron është se këto platforma nuk i japin mundësi komunikimi vetëm të çmendurve dhe intelektualëve por edhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, të cilët në shumë vende do të rrezikonin jetën dhe e vetmja gjë që i mbron është pikërisht ai anonimati që Krasta kërkon të ndryshojë me “rregulla përfaqësimi dhe kontrolli të imët”. Në raste më pranë nesh, dikush me një pseudonim mund të thotë lirshëm mendimin e tij pa pasur frikë se rrezikon vendin e punës.

Nuk është as i pari dhe as i fundit, Krasta, që kërkon rregullim të internetit, pavarësisht se liria që kjo platformë gjigande komunikimi ofron vjen pikërisht nga fakti se deri tani ligjvënësit kanë qëndruar kryesisht larg dhe në pjesën më të madhe të rasteve vetërregullimi ka funksionuar. Anonimati ka plot anë negative por garanton atë të drejtën për të folur që shfaqej edhe në ekranin pas krahëve të Krastës gjatë monologut të tij. E kur nuk kemi hequr anonimatin përballë përfitimit të mundshëm të terroristëve, nuk besoj se do ta bëjmë për të hequr qafe kolegët mllefaxhi të Adi Krastës, me gjithë respektin e mundshëm ndaj tij.