Referendumi grek dhe frika nga demokracia

tsiprasT’i rikthesh fjalën popullit përmes një referendumi është dicka për të cilën nuk gjej dot asnjë arsye për ta kundërshtuar. Njoftimi i Kryeministrit të Athinës, Alexis Tsipras, se do të ftojë më 5 korrik popullin grek të shprehet me votë nëse do t’i pranojë apo jo masat e rrepta që i propozon Europa në këmbim të kredive, më duket një zgjedhje tejet demokratike.

Ndryshe nga sa kam lexuar këto ditë, nuk më duket vendim prej burracakësh, apo frikë e një lideri për ta marrë vetë një vendim. Përkundrazi, shikoj një lloj përulësie të një njeriu që e ka të qartë se vota që e bëri Kryeministër nuk mund të justifikojë gjithcka.

Debati mbi referendumin grek më risolli në mendje atë për armët kimike në Shqipëri, pak muaj pasi Qeveria e drejtuar nga Edi Rama kishte bërë betimin, në vitin 2013. Çfarë dëgjonim atëherë, ishte se shqiptarët e kishin bërë referendumin e tyre, duke i dhënë koalicionit të majtë 1 milionë vota dhe se kjo mjaftonte për të legjitimuar vendimin. Qytetarët që iu mblodhën për ditë të tëra poshtë dritares Kryeministrit, ia bënë të qartë se për çështje të një rëndësie të veçantë është mirë që fjala t’i rikthehet popullit.

Nga ana tjetër, ka nga ata që me një lloj mendjemadhësie mendojnë se populli nuk është në gjendje të marrë vendime të zgjuara. Injoranca popullore do të ishte pengesë për vendimmarrjen elitare, sipas kësaj filozofie, që përveçse antidemokratike më ngjan thellësisht e rrezikshme. Nëse populli nuk është në gjendje të marrë vendime të drejta, përse duhet të bëjmë zgjedhje, atëherë? Kush dhe me cfarë të drejte apo e cilësie e vendos se cili është vendimi i duhur? T’i heqim dhe zgjedhjet? Quhet akoma demokraci kjo?

Duke u rikthyer te propozimet e Europës për Greqinë, për të cilat Athina akuzohet se bën kokëfortën, po citoj mendimin Paul Krugman – një ekspert ekonomie i respektuar në nivel botëror, analist i NYTimes – sipas të cilit janë FMN dhe kreditorët ata që po e shtyjnë Greqinë jashtë Europës.

At this point it’s time to stop talking about “Graccident”; if Grexit happens it will be because the creditors, or at least the IMF, wanted it to happen.

Krugman gjithashtu ngre dyshimin se kjo bëhet për të goditur Syriza-n dhe për ta bërë atë shembull për kë tjetër do të dëshironte të rebelohej ndaj politikave të Trojkës.

062515krugman1-blog480

Grafiku më sipër tregon si ishin parashikimet e FMN-së për ekonominë greke dhe si shkoi ajo në realitet. Kaq do të mjaftonte për të justifikuar skepticizmin e Athinës dhe dëshirën e saj për t’ia kaluar fjalën qytetarëve.

Edhe sipas Krugman, zgjedhja që kishte Tsipras ishte nëse do t’i kthente fjalën qytetarëve apo t’u kthente atyre kurrizin.

If you ask me, it has been an act of monstrous folly on the part of the creditor governments and institutions to push it to this point. But they have, and I can’t at all blame Tsipras for turning to the voters, instead of turning on them.