Shqipëria e sunduar nga një regjim mediatik

Nuk ndodh shpesh që dikush ta thotë ndaj dhe mendoj se ja vlen të veçohet. Analisti Fatos Lubonja e cilëson Shqipërinë një vend që sundohet nga një regjim mediatik. Dhe fjalët “sundim” dhe “regjim” nuk janë të përdorura rastësisht.

Në këndin e tij në Agon Channel, Lubonja flet për përpjekjen që po bëhet që ky regjim të forcohet edhe më shumë, përmes ndryshimeve në Ligjin e Medias që heqin tavanin në aksionet mediatike të një personi dhe sasinë e reklamave që një televizion mund të marrë.

Siç shpjegon Lubonja, ky regjim funksionon falë lidhjeve të ngushta mes pushtetit mediatik, atij politik dhe pushtetit financiar, që kontrollohen nga pak duar.

Rreziku, paralajmëron ai, është rrënimi i demokracisë.

Por kush mund ta evitojë këtë kur Lubonja (të them të drejtën as unë, pa bërë krahasime apo paralele të pamerituara me të) nuk ka besim as te opozita dhe as te gazetarët? Këta të fundit janë në pjesën më të madhe pa kontrata e nën presionin e rrogave që vonohen. Opozita ndoshta është pjesë e të njëjtave lidhje politike, në trekëndëshin e sipërcituar, ashtu si dhe mazhoranca.