Tre ngastrat e PD dhe koalicioni “3B”

Në kulmin e pushimeve verore, kur një pjesë e mirë e shqiptarëve janë ose bëhen gati të shkojnë buzë detit, Lulzim Basha mori ngastrën e tij nga parcela e Partisë Demokratike. Gojët e liga thonë se nuk e shqetëson fakti se bëhet fjalë për një pakicë të pakicës, aq i mjafton për t’u bërë pjesë e shkëmbimeve politike vjeshtën e ardhshme në raport me mazhorancën. Për t’u dhënë çfarë do t’i kërkojnë, do t’u marrë çfarë i nevojitet. Gjithnjë, nëse “mistreci” Gazment Bardhi nuk i prish punë në gjykatë me këto procedurat që duket se i njeh mjaft mirë: kuorume të munguara, respektim statuti, mbivendosje organesh drejtuese… lista është e gjatë.

Në kampin tjetër të demokratëve, atë të Rithemelimit, Sali Berisha e ka të qartë se beteja ligjore për të marrë emrin dhe vulën e Partisë Demokratike, po bëhet më e vështirë dhe e pashpresë. Pilafi nuk po mban më ujë – për ta thënë në gjuhë popullore – dhe nevoja për një zgjidhje bëhet më insistuese. Nga LSI e Ilir Metës… pardon, Partia e Lirisë… nxjerrin fjalë se aleati më i vogël i ka kërkuar të regjistrojë në gjykatë një subjekt të ri, por nga demokratët nuk konfirmon kush.

Hallet e demokratëve janë oksigjen për Edi Ramën, që më shumë është i shqetësuar nga lëvizjet e rradhës së SPAK. Ideja e zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë, pas Samitit të Berlinit që pritet të mbahet tetorin e ardhshëm në Tiranë, thuhet se janë një opsion që do t’i mundësonte të forconte pozitat në Parlament duke shtuar deputetët, me justifikimin moral që qytetarët vijojnë ende ta duan.

Nëse ndodh, tre ngastrat e demokratëve në rastin më të mirë mund të futen në garë si koalicioni “3B” (Berisha, Bardhi, Basha). Shpresa për bashkim mes tyre nuk ka më askush. Secila nga këto copëza ka shumë pikëpyetje e dyshime për rezultatin me të cilin do të dalë dhe problemet që mund të shtohen. Ndaj vegjetimi procedurial, secili në të vetën, preferohet më shumë se sa një lëvizje që do të prodhonte politikë.