Flamujt e radikalizmit fetar ngrihen mbi plagë sociale

Çka po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, po reflektim dhe madje të thellë po ashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot vetëm dy palët që e përbejnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshjeje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. E nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh, pasi as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen.

Por këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një humbjeje besimi ndër shqiptarët, për të cilat garantët nuk duhet ti kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë edhe flamujt e radikalizmit fetar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale gërryese, varfërim, papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më agresivet në organizmin shoqëror të  një bashkësie. E për këto duhet menduar me tre palë për Maqedoninë. Për këto duhet menduar me shumë palë për Ballkanin.

– Edi Rama

Kryeministri ynë u vonua ca në mbajtjen e një qëndrimi mbi protestat në Maqedoni. Ky është fakt i pamohueshëm. Por këto fjalë, të shqiptuara në iftarin e thirrur me rastin e Ramazanit, janë gjithashtu të vërteta. Plagët sociale të shqiptarëve mbeten të hapura dhe garantët e Marrëveshjes së Ohrit nuk mund t’i shmangen përgjegjësive. Por nuk ndodh shpesh që një politikan shqiptar të kritikojë “ndërkombëtarët”.

Ashtu siç nuk ndodh shpesh (më saktë, asnjëherë) që një politikan, Kryeministër për më tepër, të guxojë të nisë fjalimin e iftarit të  thirrur prej tij, me fjalët:

Unë nuk praktikoj besim tjetër, përveç atij tek vetja dhe tek njerëzit, por nuk besoj se sidoqoftë eksiztenca ose  jo e Zotit është një çështje që mund të zgjidhet ndonjëherë nga të vdekshmit.

Sinqeritet prej “të çmenduri” në mesin e një politike shpesh hipokritike me fenë, por simpatike.